Takim shumë miqësor dhe i frytshëm në Këshillin Gjyqësor të Kosovës

Kryetari i Odës së Përmbaruesve të Kosovës zt. Arben Gashi mbajti takim me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës zt. Skënder Çoçaj dhe Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës zt. Enver Peci. Në këtë takim u diskutuan disa çështje që lidhen me fushëveprimin e institucioneve të drejtësisë dhe që kanë ndikim të veçantë në shërbimin e përmbarimit. Interes të veçantë gjatë diskutimit patën udhëzimet e fundit të nxjerrë nga Gjykata Supreme e Kosovës sa i përket qartësimit të kompetencave të përmbaruesve në përmbarimin e disa kërkesave kreditore, si dhe përmbarimit të Aktvendimeve të gjykatave themelore sa i përket gjobave që shqiptohen nga gjykatat.Lidhur me temën e qartësimit të kompetencave të përmbaruesve, zt. Gashi dhe zt. Peci u pajtuan që kjo çështje të diskutohet sërish brenda Gjykatës Supreme, dhe të mbahet një takim i radhës brenda pak ditësh lidhur me mundësinë e nxjerrjes së një Udhëzimi të ri për t’i ofruar sqarimet e nevojshme. Ndërsa, sa i përket përmbarimit të gjobave që shqiptohen nga gjykatat, zt. Gashi dhe zt. Çoçaj u pajtuan në parim që këto gjoba të shpërndahen në mënyrë proporcionale tek të gjithë përmbaruesit dhe që, njëkohësisht, të sqarohet çështja e pagesës së taksës administrative për përmbaruesit nga gjykatat meqë Këshilli Gjyqësor i Kosovës aktualisht nuk e ka të përcaktuar qartë aspektin rregullativ për këto pagesa. Për të gjithë këto çështje, u arrit pajtimi që të bëhet edhe një Memorandum Bashkëpunimi, në të cilin do të përcaktoheshin detyrat dhe përgjegjësitë e palëve, si dhe do të rregulloheshin disa çështje operacionale dhe teknike.Në fund të takimit, Kryetari Gashi i falënderoi përzemërsisht Kryesuesin zt. Çoçaj dhe Kryetarin zt. Peci për pritjen e ngrohtë dhe vullnetin për thellimin e bashkëpunimit.

Add your Comment