Programit CLE/USAID, Bordi Ekzekutiv i Odës i ndau mirënjohje

Sot, dt. 26 korrik 2018, Kryetari i Odës Z. Arben Gashi, së bashku me ish – Kryetaren e Odës Znj. Emine Sherifi – Lubeniqi dhe Drejtorin e shërbimit profesional të Odës Z. Mervan Zejnullahu, pritën në një takim falënderues udhëheqësin e projektit të deritashëm CLE (Contracts Law Enforcement) Z. Chris Thompson dhe përfaqësuesen e projektit Znj. Edona Bytyqi. Qëllimi i këtij takimi ishte falënderimi për ndihmën dhe përkrahjen që projekti CLE ia ka dhënë Odës së Përmbaruesve Privat dhe ndarja e mirënjohjes për këtë projekt.

Kryetari Gashi në emër të Odës falënderoi Z. Thompson për përkrahjen e projektit CLE dhënë Odës, duke potencuar faktin se sistemi i përmbarimit nuk do të ekzistonte në formën aktuale pa ndihmën dhe përkrahjen e projektit, si ideator dhe iniciuesi i krijimit të sistemit aktual të përmbarimit. Z. Gashi uroi që me Z. Thompson të vazhdoj bashkëpunimi i frytshëm në projektet eventuale në të ardhmen. Ish Kryetarja e Odës Znj. Sherifi-Lubeniqi, falënderoi përfaqësuesit e projektit CLE duke përmbledhur aktivitetet dhe sukseset e Odës të cilat janë zhvilluar gjatë mandatit 3 vjeçar dhe të cilat kanë pasur mbështetjen e projektit CLE, si: përkrahja në krijimin dhe funksionalizimin e Odës, forcimin e profesionit përmes aftësimit profesional, marrja e qasjes në sistemin RLLB të BQK-së, përkrahja e Odës në festimin e ditës së përmbarimit, etj, duke cekur edhe rastet kur me përfaqësuesit e projektit ndanin edhe mendime të kundërta.

Thompson suksesin e deri tashëm në sistem e konsideroi si sukses të përbashkët, duke potencuar faktin se prioritetet e Odës për vitet pasuese si: krijimi i sistemit elektronik të përmbarimit, mbrojtja e profesionit, qasja në bazat e të dhënave etj, janë transmetuar tek përfaqësuesit e USAID-it të cilët janë përgjegjës për dizajnimin e projektit të ardhshëm për përkrahje të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në fund, drejtori i CLE-së z. Chris Thompson pranoi me kënaqësi Mirënjohjen që ndau Bordi Ekzekutiv i Odës për të, duke theksuar se më këtë i është bërë një nder i veçantë projektit CLE dhe punës kolektive të të gjithë përfaqësuesve të këtij projekti, dhe se të njëjtën do ua pëcjellë zyrës qendrore të USAID-it në Washington.

Add your Comment