Njoftim nga Oda e Përmbaruesve të Kosovës

Më dt. 31.03.2023

Unioni Ndërkombëtar i Përmbaruesve (UNP) i shkruan Kryeministrit Kurti dhe shqetësohet për situatën aktuale të përmbarimit në Kosovë

Dje, Kryetari i UNP-së zt. Mark Shmic i dërgoi një letër Kryeministrit Kurti, përmes së cilës shpreh shqetësimin e Unionit Ndërkombëtar të Përmbaruesve lidhur me situatën aktuale të përmbarimit në Kosovë. Në shkresën në fjalë, Kryetari i Unionit ngriti si çështje shqetësuese zvogëlimin e tarifave të përmbarimit në Kosovë, ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Procedurën Përmbarimore, rregullimin e çështjeve disiplinore, pezullimin e përmbaruesve pa ndonjë vendim ose mendim të Komisionit Disiplinor, nivelin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Odës së Përmbarueve, etj.

Unioni Ndërkombëtar i Përmbaruesve kërkon që të mos dobësohet sistemi i përmbarimit – sipas shkresës së Kryetarit të Unionit ‘‘besimi nga operatorët ekonomikë në sistemin e përmbarimit është thelbësor. Sistemi i përmbarimit i cili funksionon dobët rrezikon aktivitetet ekonomike dhe krijon pasiguri juridike për investitorët dhe vet qytetarët. Nuk duhet të nënvlerësohen aspektet ekonomike të sistemit të mirë të përmbarimit.’’

Unioni Ndërkombëtar i Përmbaruesve po ashtu ‘‘shprehë shqetësimin e saj që …në Kosovë zvogëlimi (i pabazuar) i tarifave të përmbarimit do të ketë efekte të ngjashme (sikur në shtetet e tjera); përmbaruesit që e lënë profesionin dhe stafin e tyre duke u larguar nga puna për shkak të humbjeve të shkaktuara nga zvogëlimi i të hyrave të zyrave dhe, si pasojë, kursimet e nevojshme’’.

Sipas shkresës së Kryetarit Shmic, ‘‘Në vitin 2021, UNP-ja e pranoi Odën e Përmbaruesve të Kosovës si anëtare me të drejta të plota, duke qenë përfaqësuese e profesionit të përmbarimit në Kosovë’’. Prandaj, pas zhvillimeve të fundit lidhur me përmbarimin në Kosovë, Unioni shprehet se ‘‘Jemi me të vërtetë të shqetësuar lidhur me problemet që kanë lindur në Kosovë. Nuk duam që kolegët tanë kosovarë të vendosen në aso situate që ata nuk kanë mundësi ta ushtrojnë profesionin e tyre’’.

Po ashtu, Unioni Ndërkombëtar i Përmbaruesve zotohet që të ofrojë ekspertizën dhe përvojën e tij ashtu që të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore dhe praktike, me qëllim të përmirësimit të situatës aktuale të përmbarimit në Kosovë!

Ndërsa, Oda e Përmbaruesve të Kosovës (OPK), duke qenë falënderuese për përkrahjen e ofruar nga Unioni, fton Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës që të reflektojë lidhur me shqetësimet e Odës dhe të Unionit ashtu që të përmirësohet situata alarmuese në të cilën ndodhet përmbarimi, të rishikohen urgjentisht tarifat e përmbarimit, të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore dhe nënligore, të mos pezullohen përmbaruesit pa ndonjë vendim/mendim të Komisionit Disiplinor, të mos përdoret shërbimi i përmbarimit si objekt sulmi për qëllime politike, dhe të ndryshohet qasja e përgjithshme ndaj shërbimit të përmbarimit.

Arben Gashi