Oda e Përmbaruesve Privat dhe KGJK të fokusuar në rritjen e efikasitetit në drejtësi dhe dixhitalizimin e shërbimeve!

Publikuar më: 04 shtator 2025

Imazhi i fotos nga takimi në thesar

Përfaqësuesit e Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës (OPPK), të udhëhequr nga kryetari z. Mehdi Reshani, nënkryetari z. Driton Govori dhe Udhëheqësi i Shërbimit Profesional, z. Mervan Zejnullahu, zhvilluan një takim të rëndësishëm me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), z. Albert Zogaj, dhe Drejtorin e Departamentit Ligjor, z. Astrit Hoti.

"Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në formalizimin e komunikimit elektronik dhe shkëmbimit digjital të të dhënave ndërmjet përmbaruesve privatë dhe gjykatave..

Një nga pikat kryesore të takimit ishte gjetja e një zgjidhjeje efikase për procedimin elektronik të lëndëve të iniciuara sipas prapësimit të palëve. Palët u pajtuan që Shërbimi Profesional i Odës dhe Departamenti Ligjor i KGJK-së të hartojnë një draft-marrëveshje të detajuar. Kjo marrëveshje do të përcaktojë qartë hapat dhe afatet kohore për komunikimin dhe dorëzimin e dokumenteve përmes postës elektronike zyrtare, duke synuar përshpejtimin e procedurave.

Duke adresuar shqetësimin e kamotshëm të përmbaruesve për vonesat në gjykata, kryesuesi i KGJK-së, z. Zogaj, dha një lajm të rëndësishëm. Ai siguroi se duke filluar nga 1 janari 2026, nuk do të ketë asnjë lëndë të këtij lloji që do të vonohet më shumë se një muaj, konform afateve ligjore të parapara në ligj, një hap ky thelbësor drejt rritjes së efikasitetit të sistemit të drejtësisë. Ky takim rikonfirmoi gatishmërinë dhe përkushtimin e të dy institucioneve për të avancuar bashkëpunimin, me qëllim arritjen e objektivave të përbashkëta për një sistem drejtësie më të shpejtë, më transparent dhe më funksional për qytetarët e Kosovës.

Foto

Foto 1 nga takimi Foto 1 nga takimi