Përfaqësues të Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës, të udhëhequr nga Kryetari Mehdi Reshani, kanë zhvilluar një takim të rëndësishëm pune me përfaqësues të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), të pritur nga U.D. Drejtori Ekzekutiv, z. Bekim Aliu.
"Qëllimi i këtij takimi ishte gjetja e një zgjidhjeje të përbashkët dhe të standardizuar për arkivimin e lëndëve të zyrave përmbarimore. Duke pasur parasysh se zyrat e përmbaruesve privat ushtrojnë autorizime publike dhe të gjitha dokumentet që ato administrojnë konsiderohen dokumente zyrtare, nevoja për një sistem të qartë arkivimi është thelbësore..
Gjatë diskutimeve konstruktive, palët u dakorduan që të nisin procedurat për hartimin e një "Liste me shenja unike të klasifikimit të dokumenteve dhe afatet e ruajtjes së tyre". Ky dokument do të hartohet duke u bazuar plotësisht në Ligjin për arkivat dhe aktet nënligjore përkatëse që rregullojnë këtë fushë.
Sipas marrëveshjes, Oda e Përmbaruesve do të përgatisë draftin fillestar të kësaj liste dhe më pas do t'ia procedojë Agjencisë Shtetërore të Arkivave për vazhdimin e procedurave të mëtejme ligjore. Të dy institucionet u zotuan se do të veprojnë me urgjencë për të çuar përpara këtë proces me rëndësi. Komunikimi dhe koordinimi i mëtejmë për fazat administrative do të vazhdojë drejtpërdrejt mes Shërbimit Profesional të Odës dhe Departamentit të Inspektimit të Fondkrijuesve dhe Fondposeduesve në kuadër të ASHAK-ut. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të transparencës, llogaridhënies dhe sigurisë juridike në sistemin përmbarimor të Kosovës.