Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës ka pritur në takim zyrtar përfaqësuesit e Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit Prishtina, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së efikasitetit në trajtimin e lëndëve që procedohen për ekzekutim.
Nga Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës morën pjesë Kryetari i Odës, z. Mehdi Reshani, nënkryetari z. Driton Govori, anëtari i Bordit Ekzekutiv z. Kushtrim Metaj dhe Udhëheqësi i Shërbimit Profesional z. Mervan Zejnullahu. Delegacioni i KRU Prishtina kryesohej nga Sekretari i ndërmarrjes, z. Avni Kastrati, dhe shefi i zyrës ligjore, z. Armend Maka.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e një komunikimi të vazhdueshëm dhe të strukturuar ndërmjet dy institucioneve, me qëllim të përmirësimit të trajtimit profesional të lëndëve të proceduara në Odë nga KRU Prishtina. Palët theksuan nevojën për rritjen e efikasitetit dhe koordinimit, duke u fokusuar në përshpejtimin e proceseve administrative dhe adresimin e të gjitha çështjeve operative që ndikojnë në realizimin e kërkesave përmbarimore.
NPërfaqësuesit e Odës nënvizuan se një bashkëpunim më i ngushtë institucional do të ndihmojë në garantimin e sigurisë juridike, rritjen e transparencës dhe harmonizimin e praktikave profesionale ndërmjet përmbaruesve dhe përfaqësuesve të ndërmarrjes. Ndërsa delegacioni i KRU Prishtina shprehu gatishmërinë për të përmirësuar proceset e brendshme të komunikimit me Odën dhe zyrat përmbarimore, me synim avancimin e shërbimeve dhe minimizimin e pengesave procedurale.
Takimi u përmbyll me zotimin e dyanshëm për intensifikimin e bashkëpunimit dhe krijimin e mekanizmave më efikas të koordinimit, në mënyrë që procesi i ekzekutimit të vendimeve të zhvillohet me profesionalizëm të lartë, efikasitet dhe në përputhje me standardet ligjore.