Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës (OPPK), sot në ambientet e "Hotel Prishtina International", ka mbajtur takimin e rregullt të Kuvendit të saj. Nën drejtimin e Kryetarit të Odës, ky takim mblodhi anëtarët për të diskutuar mbi arritjet e vitit aktual dhe për të vendosur mbi aktet bazike që rregullojnë funksionimin e profesionit të përmbarimit.
Në fokus të rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi i akteve bazike të Odës. Pas diskutimeve konstruktive, ku u inkorporuan propozime dhe sugjerime të vlefshme nga të pranishmit, anëtarët e Kuvendit miratuan unanimisht Statutin e ri të Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës si dhe Kodin e Etikës. Miratimi i këtyre dokumenteve strategjike shënon një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të standardeve profesionale dhe rritjes së transparencës në ushtrimin e veprimtarisë përmbarimore.
Gjithashtu, para anëtarëve të Kuvendit u shtjellua gjerësisht marrëveshja e bashkëpunimit për komunikimin elektronik zyrtar ndërinstitucional ndërmjet Gjykatave dhe Zyrave Përmbarimore, e nënshkruar së fundmi nga kryetari i Odës z. Mehdi Reshani dhe kryesuesi i KGJK-së z. Albert Zogaj. Me këtë rast, përmbaruesit u njoftuan në detaje për të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje, e cila do filloj së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm dhe që synon të rrisë efikasitetin dhe shpejtësinë e procedurave përmes digjitalizimit të shërbimeve.
Në përmbyllje të punimeve, Kuvendi aprovoi Buxhetin e Odës për vitin 2026, si dhe përcaktoi mënyrën e pagesës së kontributeve për vitin e ardhshëm, bazuar në propozimet e Bordit Ekzekutiv. Takimi u karakterizua nga një frymë bashkëpunimi dhe përkushtimi të lartë për avancimin e sistemit të përmbarimit në Republikën e Kosovës.