Sistemi i Përmbarimit në Kosovë vlerësohet si model suksesi në Evropë

Publikuar më: Qershor 2026

Sistemi i Përmbarimit në Kosovë vlerësohet si model suksesi në Evropë

Sistemi i përmbarimit në Kosovë vazhdon të dëshmojë se është një nga shtyllat më të konsoliduara të sistemit të drejtësisë, duke u njohur tashmë edhe si një model pozitiv në nivel evropian. Në një studim të fundit strategjik, të përgatitur në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian "Pravo-Justice", eksperti i njohur ndërkombëtar i së drejtës civile dhe përmbarimore, z. Massimiliano Blasone, ka vlerësuar lart funksionimin dhe efektivitetin e sistemit përmbarimor kosovar. Ky studim vlerëson suksesin e reformave të ndërmarra ndër vite dhe angazhimin e vazhdueshëm institucional për të ofruar një shërbim plotësisht transparent, profesional dhe efikas për të gjithë qytetarët.

Studimi gjithëpërfshirës, i titulluar “Vlerësimi i Efektivitetit dhe Cilësisë së Sistemit të Përmbarimit: Një Analizë Krahasuese e Sistemeve Evropiane”, është hartuar me synimin për të ofruar një qasje sistematike në vlerësimin e efektivitetit të sistemeve përmbarimore, gjithnjë duke u bazuar në standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian. Ky dokument hulumtues është përgatitur në kontekstin e procesit të integrimit evropian të Ukrainës, duke ofruar rekomandime thëlbësore për modernizimin e sistemit të saj të drejtësisë. Siç theksohet në raport, një integrim i suksesshëm në hapësirën ligjore evropiane kërkon patjetër një sistem të drejtë dhe efektiv të ekzekutimit të vendimeve, pasi pa të është e pamundur të garantohet mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe siguria juridike.

Në këtë analizë të thellë krahasuese të praktikave evropiane, e cila analizon performancën, kostot, transparencën dhe organizimin e përmbaruesve, eksperti Blasone ka përfshirë Kosovën si një shembull të jashtëzakonshëm "përtej BE-së".

Sipas gjetjeve të studimit, legjislacioni i Kosovës vlerësohet veçanërisht për sistemin e tij të avancuar të përmbarimit dhe mbikëqyrjes së këtij sistemi. Raporti i z. Blasone thekson se kjo mbikëqyrje realizohet në mënyrë të strukturuar përmes tre organeve kryesore dhe mbështetet fuqishëm në të dhënat e ofruara në raportet periodike, të cilat janë të qasshme publikisht online.

Studimi i referohet specifikisht kornizës ligjore të Kosovës, përkatësisht nenit 360 të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, i cili parasheh themelimin e një Komisioni Profesional nga Ministri i Drejtësisë për vlerësimin e vazhdueshëm të përmbarimit, pa penguar pavarësinë e punës së përmbaruesve (megjithëse nuk mund të lehet pa u përmendur fakti se sadoqë ky komision i themeluar sipas ligjit vlerësohet si e arritur, i njëjti asnjëherë që nga viti 2014 nuk u funksionalizua, përkatësisht nuk veproi si i tillë). Po ashtu, vlerësohet lartë roli "ex-officio" i Odës së Përmbaruesve Privat në mbikëqyrjen e përmbaruesve privatë të paktën një herë në vit, duke pasur kompetenca të plota për t'u qasur në zyrat e tyre, në materialet arkivore, llogaritë bankare dhe në menaxhimin e aseteve. Transparenca e lartë e garantuar përmes raporteve vjetore – të cilat detajojnë numrin e rasteve të pranuara, të përfunduara dhe të papërfunduara, si dhe raportet financiare – vlerësohet si një standard i artë që rrit besimin e publikut te ky institucion.

Ky vlerësim pozitiv ndërkombëtar nuk është rastësor, por vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i reformave thelbësore e të guximshme të vitit 2014, të cilat shënuan kalimin nga një sistem tërësisht shtetëror në sistemin e përmbarimit privat në Kosovë. Këto reforma e kanë funksionalizuar dhe modernizuar skajshmërisht ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, duke e shndërruar atë në një proces efikas, të shpejtë dhe të përgjegjshëm. Konsolidimi ndër vite i këtij sistemi ka bërë të mundur një balancë jetike mes efikasitetit të mbledhjes së borxheve dhe respektimit rigoroz të të drejtave të qytetarëve.

Për Odën e Përmbaruesve Privat të Kosovës, përfshirja si model referent në këtë studim prestigjioz të z. Blasone është një rikonfirmim i fortë se puna e palodhshme e përmbaruesve në Kosovë është në harmoni të plotë me vlerat evropiane. Kjo arritje shërben si një motivim shtesë për të mbajtur lart standardet e profesionalizmit. Oda mbetet thellësisht e përkushtuar që, përmes llogaridhënies, efikasitetit dhe inovacionit të vazhdueshëm, ta mbajë Kosovën si një shembull të të një sistemi efikas të përmbarimit në rajon dhe Evropë, duke siguruar drejtësi dhe siguri juridike për të gjithë.

Fotografi nga ngjarja

Foto 1 nga ngjarja
Foto 2 nga ngjarja
Foto 3 nga ngjarja
Foto 4 nga ngjarja