Sot, më 1 korrik 2026, me rastin e Ditës së Përmbarimit, përfaqësues të Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës vizituan ambientet e Organizatës Down Syndrome Kosova, në një takim miqësor e institucional me karakter sensibilizues dhe mbështetës.
Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit e Odës u pritën nga drejtoresha e Organizatës Down Syndrome Kosova, znj. Sebahate Hajdini Beqiri, si dhe nga stafi i organizatës. Në kuadër të takimit, ata u njoftuan nga afër me punën e përditshme, aktivitetet, kushtet dhe angazhimin e organizatës në ofrimin e përkrahjes për personat me sindromën Down dhe familjet e tyre.
Përfaqësuesit e Odës shprehën mirënjohjen e tyre për punën e çmuar që Down Syndrome Kosova po bën në drejtim të fuqizimit, përfshirjes sociale dhe krijimit të mundësive të barabarta për këtë komunitet. Ata theksuan se angazhimi i tillë përbën një kontribut të rëndësishëm për shoqërinë dhe meriton mbështetje të vazhdueshme institucionale e qytetare.
Në emër të të gjithë përmbaruesve privatë, anëtarë të Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës, me këtë rast u dhurua edhe një donacion për Organizatën Down Syndrome Kosova, si shenjë falënderimi dhe përkrahjeje për misionin e saj human, profesional dhe shoqëror.
Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës vlerëson se përgjegjësia institucionale nuk kufizohet vetëm në ushtrimin e detyrave profesionale dhe në garantimin e sigurisë juridike, por përfshin edhe përkushtimin për solidaritet, bashkëpunim dhe mbështetje ndaj komuniteteve që kanë nevojë për përkrahje më të madhe.
Përmes kësaj vizite, Oda rithekson gatishmërinë e saj për të qenë pranë iniciativave që promovojnë dinjitetin njerëzor, gjithëpërfshirjen dhe kujdesin shoqëror, duke falënderuar drejtoreshën znj. Sebahate Hajdini Beqiri dhe gjithë stafin e Down Syndrome Kosova për pritjen, punën dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm.