Paris, nëntor 2026 – Në kuadër të punimeve të Këshillit të Përhershëm të Unionit Ndërkombëtar të Përmbaruesve Gjyqësorë (UIHJ), të cilat po mbahen më 25–27 nëntor 2026 në Paris, delegacioni i Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës (OPPK), i përbërë nga nënkryetari, z. Driton Govori, si dhe anëtarët e Bordit, z. Gëzim Gjoshi dhe z. Përparim Xhelili, zhvilloi një takim zyrtar me Presidentin e UIHJ-së, z. Marc Schmitz.
Pjesëmarrja në këtë forum të rëndësishëm ndërkombëtar përbën nder dhe privilegj të veçantë për Odën. Punimet e Këshillit dhe takimet bilaterale u shfrytëzuan për thellimin e bashkëpunimit me organet drejtuese të UIHJ-së dhe odat homologe nga vende të ndryshme, si dhe për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira profesionale. Këto angazhime synojnë fuqizimin e vazhdueshëm institucional të OPPK-së dhe avancimin e mëtejshëm të sistemit të përmbarimit privat në Republikën e Kosovës.
Anëtarësimi i Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës në UIHJ ka shënuar një moment historik për sistemin e drejtësisë në vend, duke kurorëzuar përpjekjet institucionale për integrim ndërkombëtar dhe duke dëshmuar se shërbimi i përmbarimit në Kosovë është ndërtuar mbi parime të shëndosha ligjore dhe profesionale. Që nga pranimi i saj në këtë familje të madhe ndërkombëtare, OPPK-ja ka qenë pjesëmarrëse aktive në diskutimet globale mbi zhvillimin e profesionit.
Si organizata më e lartë botërore që përfaqëson profesionin e përmbaruesve gjyqësorë në mbi njëqind vende, UIHJ-ja luan një rol kyç në harmonizimin e standardeve të përmbarimit gjyqësor, promovimin e sundimit të ligjit, nxitjen e digjitalizimit të procedurave dhe forcimin e sigurisë juridike. Përmes udhëzimeve, kodeve globale dhe bashkëpunimit me institucionet kryesore ndërkombëtare të drejtësisë, Unioni kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë së sistemeve përmbarimore në mbarë botën.
Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës mbetet e përkushtuar që, me vizion të qartë dhe angazhim të përbashkët, të vazhdojë rrugëtimin drejt një sistemi përmbarimor edhe më të fuqishëm, transparent, profesional dhe në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare.