Oda e Përmbaruesve Privat dhe Policia e Kosovës forcojnë bashkëpunimin në drejtim të zbatimit të Ligjit të Procedurës Përmbarimore

Oda e Përmbaruesve Privat e Kosovës (OPPK) dhe Policia e Kosovës kanë vazhduar me takimet dypalëshe me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin efektiv të ligjit. Ky takim strategjik u fokusua në gjetjen e mekanizmave më efikasë për ekzekutimin e gjobave të papaguara të trafikut, një sfidë që prek drejtpërdrejt sigurinë rrugore dhe buxhetet e komunave të Kosovës.

Në takim, i pranishëm ishte kryetari i OPPK-së, z. Mehdi Reshani, së bashku me anëtarët e Bordit Ekzekutiv, z. Driton Govori dhe z. Sefer Arifi, si dhe udhëheqësi i shërbimit profesional, z. Mervan Zejnullahu. Delegacioni i lartë i Policisë së Kosovës përbëhej nga Nënkolonel Çlirim Hajdini, Shef i Sektorit për Çështje Ligjore, Jeton Rexhepi, Drejtor i Divizionit të Trafikut rrugor  dhe Afrim Ahmeti, Drejtor i Drejtorisë për Preventivë në Komunikacionin Rrugor.

Palët diskutuan hollësisht për sfidat që paraqesin individët dhe bizneset me gjoba të shumta të akumuluara, me një theks të veçantë te rastet e recidivistëve. U analizuan modalitetet ligjore dhe praktike për të siguruar që këto detyrime të përmbushen në përputhje me Ligjin e Procedurës Përmbarimore.

Një pikë thelbësore e diskutimit ishte propozimi për një marrëveshje trepalëshe bashkëpunimi ndërmjet Odës së Përmbaruesve, Policisë së Kosovës dhe Komunave të Kosovës. Kjo iniciativë synon të krijojë një sinergji të plotë, duke pasur parasysh faktin se të hyrat nga gjobat e trafikut derdhen direkt në buxhetet e komunave përkatëse.

Takimi u përmbyll me një zotim të përbashkët për të vazhduar dialogun intensiv dhe për të formalizuar këtë bashkëpunim përmes një marrëveshjeje zyrtare, duke siguruar një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.