Forcimi i bashkëpunimit institucional dhe efikasiteti në ekzekutim në fokus të takimit mes Odës dhe Policisë së Kosovës

Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës mirëpriti një takim të rëndësishëm me përfaqësues të lartë të Policisë së Kosovës, duke shënuar një hap tjetër drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional. Ky takim, i zhvilluar në një frymë konstruktive, adresoi sfida kyçe në procesin e ekzekutimit dhe identifikoi rrugë të reja për rritjen e efikasitetit.

Nga Oda, morën pjesë Kryetari Z. Mehdi Reshani, anëtarët e Bordit Ekzekutiv Z. Driton Govori, Sefer Arifi dhe Kushtrim Meta, si dhe Udhëheqësi i Shërbimit Profesional të Odës, Mervan Zejnullahu. Policia e Kosovës u përfaqësua nga nënkolonel Çlirim Hajdini, Shef i Sektorit për Çështje Ligjore, kapiten Arbër Telaku, Shef në Sektorin për Migrim dhe të Huaj, dhe Agron Kerolli, Shef për Operativë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Diskutimet u fokusuan në ekzekutimin e gjobave kundërvajtëse të shqiptuara nga policia, si dhe në zbatimin e ligjit për të huajt, veçanërisht sa i përket gjobave të shqiptuara nga policia kufitare në aeroport. Palët u dakorduan për unifikimin e përvojave dhe gjetjen e mekanizmave më efikasë për ekzekutimin e shpejtë të këtyre detyrimeve. Si vazhdimësi, u planifikua një takim tjetër për në fillim të qershorit, ku do të përfshihen edhe përfaqësues të njësisë së trafikut, me qëllim thellimin e bisedimeve për ekzekutimin e gjobave të trafikut. Ky bashkëpunim është thelbësor për garantimin e sundimit të ligjit dhe funksionimin e drejtësisë në Kosovë.