Nga 19 deri më 21 nëntor 2025, Oda e Përmbaruesve Privatë të Republikës së Kosovës mori pjesë në punimet e Këshillit të Përhershëm të Unionit Ndërkombëtar të Përmbaruesve Gjyqësorë (UIHJ), i cili u mbajt në Paris. Ky sesion mblodhi përfaqësues nga mbi 100 shtete anëtare, duke riafirmuar misionin global të Unionit për avancimin e sistemeve të përmbarimit civil dhe forcimin e bashkëpunimit profesional midis përmbaruesve në mbarë botën.”
Odën e Përmbaruesve Privat të Kosovës e përaqësoi Kryetari i Odës, z. Mehdi Reshani, Anëtari i Bordit Ekzekutiv z. Kushtrim Metaj dhe Udhëheqësi Shërbimit Profesional z. Mervan Zejnullahu. Delegacioni u përfaqësua edhe nga znj. Feride Podvorica nga Ministria e Drejtësisë, duke theksuar bashkëpunimin institucional të ngushtë ndërmjet Odës dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë.
Këshilli i Përhershëm hapi punimet me miratimin e procesverbalit së vitit 2024 dhe vijoi me vendime të rëndësishme, duke përfshirë pranimin e Kirgistanit si anëtar i ri i përhershëm të UIHJ-së, si dhe prezantimin e ACDC-së (Itali) si anëtar vëzhgues. Gjatë sesionit, Këshilli shqyrtoi Raportin e vitit 2025 dhe diskutoi progresin e projekteve kryesore ndërkombëtare si e-Filit, DIGIJUST, iniciativat BERD/EBRD, EIPA JUST AI BLOCK EU, trajnimet ERA 2026–2027 dhe Enforcement Atlas 2. Grupet e eksperteve, përfshirë Institutin Jacques Isnard, Këshillin Shkencor dhe Ekipin e Inovacionit të UIHJ-së, prezantuan arritjet dhe planet e tyre për të ardhmën.
Një moment me rëndësi të veçantë ishte ndryshimi i Statutit të UIHJ-së, me miratimin e nenit të ri 24, pika 2, i cili forcon më tej kuadrin e qeverisjes së brendshme të Unionit. Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës së bashku me delagacionin e Kosovës pati gjithashtu takime bilaterale strategjike me Presidentin e UIHJ-së z. Marc Schmitz, Anëtaret e Bordit të Unionit si dhe me përfaqësuesit e ACDC Itali, z. Mario Santopietro dhe z. Massimiliano Blasone. Diskutimet u fokusuan në shkëmbimin e praktikave më të mira evropiane, forcimin e bashkëpunimit profesional dhe mundësitë për harmonizimin e procedurave përmbarimorë të Kosovës me procedurat e BE-së, një synim i rëndësishëm afatgjatë për integrimin evropian.
Pjesëmarrja e Odës në këtë sesion përfaqëson vazhdimësinë e një udhëtimi të rëndësishëm historik. Marrëdhënia e Kosovës me UIHJ-në nisi në vitin 2013, vijoi me anëtarësimin e Kosovës si anëtare vezhguese në vitin 2019, dhe u kurorëzua me anëtarësimin e plotë të Odës sonë në vitin 2021, në Kongresin e UIHJ-së në Dubai, ku Oda u përfaqesua nga kryetari i atehershem Z. Arben Gashi dhe anetaret e Bordit Ekzekutiv Z. Zija Bala dhe Z. Rushit Hoxha, ndërsa Ministria e Drejtësisë u përfaqësua nga Znj. Feride Podvorica dhe Z. Ardian Bajraktari. Sot, Kosova merr pjesë si anëtar i barabartë, duke kontribuar aktivisht në diskutimet dhe reformat globale në fushën përmbarimore.
Në prag të ngjarjeve të mëdha të vitit 2026 në Gjeorgji, Paris dhe Lisbonë, Oda mbetet e përkushtuar për zbatimin e praktikave më të mira të promovuara nga Ekipi i Inovacionit dhe Këshilli Shkencor i UIHJ-së.
Përmes angazhimit aktiv, Oda vazhdon të dëshmojë përkushtimin e Kosovës për shërbime moderne, transparente dhe të besueshme të përmbarimit, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.