Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës, në kuadër të angazhimit të saj për forcimin e bashkëpunimit me institucionet financiare dhe ligjore në vend, ka pritur sot në një takim zyrtar përfaqësuesit e lartë të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), të udhëhequr nga Drejtori Menaxhues, z. Besnik Berisha.”
Në këtë takim, Odën e përfaqësuan z. Kushtrim Metaj, anëtar i Bordit Ekzekutiv, dhe z. Mervan Zejnullahu, Udhëheqës i Shërbimit Profesional. Delegacioni i FKGK-së përbëhej nga z. Besnik Berisha (Drejtor Menaxhues), z. Vilson Ukaj (Menaxher i Lartë Ligjor dhe i Paluajtshmërisë), znj. Besa Jashari (Menaxhere e Lartë Ligjore dhe e Pajtueshmërisë) dhe znj. Jehona Gjergji (Zyrtare Ligjore).
Diskutimi u fokusua në rëndësinë e bashkëpunimit efikas ndërmjet dy institucioneve, duke pasur parasysh rolin vital që FKGK luan në ekonominë e Kosovës. Z. Berisha njoftoi se Fondi aktualisht garanton kredi për rreth 20,000 kredimarrës, me një portofol që arrin vlerën e rreth 1 miliard eurove, duke lehtësuar qasjen në financa për bizneset dhe qytetarët.
Palët diskutuan për modalitetet e bashkëpunimit në rastet e ekzekutimit të detyrimeve nga organi përmbarimor, për kreditë e garantuara nga ky fond. Përfaqësuesit e Odës shpjeguan në detaje procedurat përmbarimore, nga momenti i propozimit deri te ekzekutimi final, duke ofruar gatishmërinë e plotë të sistemit përmbarimor për të trajtuar këto lëndë me efikasitet dhe profesionalizëm.
Takimi u përmbyll me zotimin e dyanshëm për të intensifikuar komunikimin institucional, me qëllim të rritjes së sigurisë juridike dhe efikasitetit në ekzekutimin e vendimeve.