Me iniciativën e Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës dhe me mbështetjen e Akademisë së Drejtësisë, sot u mbajt një punëtori e përbashkët, e cila bëri bashkë gjyqtarë dhe përmbarues privatë nga të gjitha rajonet e Kosovës. Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte diskutimi dhe trajtimi i temave me interes të ndërsjellë, duke synuar unifikimin e praktikave dhe rritjen e efikasitetit në sistemin e drejtësisë.”
Punimin e kësaj punëtorie e hapën Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës, z. Mehdi Reshani, dhe Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, z. Enver Fejzullahu. Në fjalët e tyre hyrëse, ata falënderuan të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksuan rëndësinë e këtij organizimi për unifikimin e procedurave gjyqësore. Të dy drejtuesit nënvizuan se bashkëpunimi i tillë është jetik për të rritur efikasitetin e procedurës përmbarimore, për të garantuar sigurinë juridike dhe për të forcuar besimin e palëve në sistemin e drejtësisë.
Kjo punëtori e përbashkët u moderua nga Gjyqtari i Gjykatës Supreme, z. Qerim Ademaj, dhe Kryetari i Odës, z. Mehdi Reshani. Fokusi kryesor i diskutimeve ishte harmonizimi i praktikës gjyqësore në procedurën përmbarimore, me synimin që kjo procedurë të jetë urgjente, efikase dhe e drejtë, në përputhje të plotë me frymën e ligjit.
Në këtë punëtori dhanë një kontribut të çmuar profesional gjyqtarë nga të gjitha nivelet, përfshirë ata nga dy dhomat e Gjykatës Komerciale dhe nga Gjykatat Themelore, si dhe përmbarues privatë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Gjatë diskutimeve interaktive, u trajtuan çështje specifike që lidhen me: • Unifikimin e qasjes ndaj dokumenteve të besueshme; • Procedurat e prapësimit dhe ankesës; • Shënimin e përmbarimit në regjistrat publikë; • Përcaktimin dhe trajtimin e shpenzimeve përmbarimore.
Pjesëmarrësit shkëmbyen qëndrime profesionale dhe analizuan raste konkrete nga praktika, si para zyrave përmbarimore, ashtu edhe para gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë, duke identifikuar sfidat dhe zgjidhjet më të mira ligjore.
Në përmbyllje të takimit, palët u dakorduan që ky bashkëpunim i ndërsjellë të vazhdojë edhe në të ardhmen, si një mekanizëm i domosdoshëm për të adresuar çdo sfidë procedurale dhe ligjore që mund të shfaqet në fushën e përmbarimit.