Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për koordinim profesional dhe forcim të sundimit të ligjit, përfaqësuesit e lartë të Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës (OPPK) zhvilluan një takim zyrtar me drejtuesit e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK). Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt sinkronizimit të veprimeve ndërmjet dy institucioneve tona.
Delegacioni i OPPK-së, i kryesuar nga Kryetari Mehdi Reshani, Nënkryetari Driton Govori, anëtari i Bordit Ekzekutiv, Sefer Arifi, si dhe Drejtori Ekzekutiv, Mervan Zejnullahu, u pritën në mjediset e OAK-së nga Kryetari Besnik R. Berisha dhe Drejtoresha Ekzekutive, Arife Gashi.
Takimi u realizua si vazhdimësi e komunikimeve të rregullta ndërmjet dy odave, me synimin e qartë për të adresuar sfidat e fundit që kanë dalë në praktikën profesionale gjatë ndërveprimit ndërmjet përmbaruesve dhe avokatëve. Gjatë bashkëbisedimit, palët shtjelluan në detaje nevojën për një qasje më konstruktive në zgjidhjen e pengesave procedurale, duke u fokusuar në rritjen e efikasitetit të procedurave përmbarimore dhe respektimin strikt të etikës profesionale.
Kryetari i OPPK-së, z. Reshani, theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Odën e Avokatëve është esencial për një proces përmbarimor transparent dhe të drejtë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e të dyja institucioneve u dakorduan se dialogu institucional është rruga e vetme për eliminimin e paqartësive që shpeshherë mund të ngadalësojnë realizimin e të drejtave të qytetarëve dhe bizneseve.
Në përfundim të takimit, palët u zotuan për mbajtjen e takimeve të rregullta periodike, me qëllim që praktikat më të mira ligjore të zbatohen në mënyrë uniforme, duke garantuar kështu një sistem drejtësie më efikas dhe llogaridhënës për të gjithë akterët e përfshirë.