Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës (OPPK) dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, me synim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën juridike, ekonomike dhe sociale.
Marrëveshja synon, ndër të tjera, rritjen e informimit të komunitetit të biznesit lidhur me procedurat përmbarimore, të drejtat dhe detyrimet e palëve, si dhe mundësitë për zgjidhjen e çështjeve në mënyrë sa më efikase dhe profesionale.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, vlerësoi se marrëveshja krijon bazë për një nivel më të avancuar të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, veçanërisht në drejtim të informimit të bizneseve për procedurat përmbarimore dhe mundësitë që ekzistojnë për arritjen e marrëveshjeve ndërmjet palëve.
Ai theksoi se bashkëpunimi institucional dhe shkëmbimi i informacionit mund të kontribuojnë në trajtimin më efikas të çështjeve me interes për bizneset dhe në respektimin e të drejtave të të gjitha palëve të përfshira.
Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës, Mehdi Reshani, theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes paraqet një hap të rëndësishëm drejt avancimit të bashkëpunimit ndërmjet Odës dhe komunitetit të biznesit.
Sipas tij, përmes punëtorive, takimeve profesionale dhe aktiviteteve të tjera të përbashkëta synohet të rritet niveli i njohurive dhe i profesionalizmit në trajtimin e çështjeve juridike dhe ekonomike që ndërlidhen me procedurën përmbarimore.
“Përmes punëtorive të përbashkëta synojmë ta rrisim nivelin e trajtimit të çështjeve juridike dhe ekonomike. Sa më i lartë të jetë profesionalizmi, aq më shumë do të ndikojë pozitivisht në trajtimin e çështjeve të biznesit, çështjeve juridike dhe në eliminimin e zvarritjeve të panevojshme”, theksoi Reshani.
Përmes kësaj marrëveshjeje, OPPK dhe AKB synojnë të zhvillojnë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të strukturuar, duke promovuar informimin, profesionalizmin dhe komunikimin ndërmjet sektorit të përmbarimit privat dhe komunitetit të biznesit.
Bashkëpunimi do të konkretizohet përmes aktiviteteve të përbashkëta profesionale, shkëmbimit të përvojave dhe iniciativave që kontribuojnë në rritjen e efikasitetit të procedurave dhe në forcimin e sigurisë juridike për palët e përfshira.
Video nga nënshkrimi i marrëveshjes dhe deklaratat e përfaqësuesve të dy institucioneve mund të ndiqen në YouTube: