Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës, në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë, më 14 shtator 2026 organizoi punëtori të përbashkët profesionale me temën “Ndikimi i Ligjit Nr. 08/L-022 për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike në procedurat përmbarimore dhe kontestimore”. Punëtoria kishte për qëllim trajtimin e aspekteve ligjore, teknike dhe praktike të identifikimit elektronik, nënshkrimeve dhe vulave elektronike, si dhe pranueshmërisë së dokumenteve elektronike në procedurat gjyqësore dhe përmbarimore.
Në punëtori morën pjesë gjyqtarë, prokurorë, përmbarues privatë, përfaqësues të odave që përfaqësojnë bizneset, sektorit bankar, odave profesionale, si dhe përfaqësues të ofruesve të kualifikuar të shërbimeve të besuara elektronike. Ky format mundësoi shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e drejtpërdrejtë të sfidave që paraqiten në praktikë gjatë pranimit, verifikimit dhe përdorimit të dokumenteve të nënshkruara elektronikisht.
Gjatë sesioneve u trajtuan sfidat e zbatimit të Ligjit Nr. 08/L-022, efekti juridik i nënshkrimit elektronik të kualifikuar, mënyra e verifikimit të certifikatave, vlefshmërisë dhe vulave kohore, si dhe praktikat rajonale dhe evropiane në këtë fushë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rasteve konkrete nga procedurat gjyqësore dhe përmbarimore, kontratave elektronike dhe nevojës për një qasje më të harmonizuar ndërmjet institucioneve.
Punëtoria përfundoi me diskutim të hapur ndërmjet pjesëmarrësve dhe me evidentimin e çështjeve që kërkojnë koordinim të mëtejshëm institucional, me synim rritjen e sigurisë juridike, efikasitetit të procedurave dhe përdorimit më të gjerë të shërbimeve digjitale në Kosovë.