Në zyrat e Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës (OPPK), u zhvillua një takim zyrtar ndërmjet drejtuesve të Odës dhe përfaqësuesve të lartë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Në këtë takim, Nënkryetari i Odës, z. Driton Govori, i shoqëruar nga Drejtori Ekzekutiv, z. Mervan Zejnullahu, pritën Drejtoreshën Ekzekutive të BKS-së, znj. Krenare Pirana Kiseri, dhe Drejtorin e Departamentit Ligjor, z. Faik Sylejmani.
Fokusi kryesor i bashkëbisedimit ishte intensifikimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në kujdesin dhe standardizimin e kërkuar gjatë fazës së inicimit dhe procedimit të lëndëve përmbarimore. Të dyja palët ndanë qëndrimin e përbashkët për nevojën e një koordinimi të ngushtë profesional, me synim zbatimin rigoroz të standardeve ligjore dhe rritjen e efikasitetit procedural.
Gjatë takimit, palët u dakorduan për formalizimin e një memorandumi bashkëpunimi në të ardhmen e afërt. Kjo marrëveshje do të mundësojë që lëndët përmbarimore të iniciuara nga BKS-ja të procedohen përmes Odës, duke u mbështetur plotësisht në përcaktimet e nenit 323 të Ligjit Nr. 08/L-102 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore Nr. 04/L-139. Përmes këtij mekanizmi ligjor, synohet shpërndarja proporcionale, transparente dhe e barabartë e lëndëve te të gjithë përmbaruesit privatë në territorin e Republikës së Kosovës, duke evituar çdo formë favorizimi.
Bashkëbiseduesit theksuan se objektivi final i këtij bashkëpunimi mbetet mbrojtja e ligjshmërisë, ekonomizimi i procedurës përmbarimore, mbrojtja e dinjitetit të debitorëve, si dhe rritja e përgjegjshmërisë së ndërsjellë profesionale.
Në përmbyllje, palët u pajtuan që çështjet formale dhe administrative të trajtohen paraprakisht në organet përkatëse vendimmarrëse të të dy institucioneve, në mënyrë që marrëveshja e bashkëpunimit të finalizohet dhe të nënshkruhet brenda një afati sa më të shkurtër kohor.