OPPK dhe AKP diskutojnë sfidat dhe përmirësimin e bashkëpunimit në Procedurat Përmbarimore

Në zyrat e Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës (OPPK), u mbajt një takim zyrtar ndërinstitucional me përfaqësues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ky takim u fokusua në shkëmbimin e informacioneve dhe adresimin e sfidave të përbashkëta në procedurat përmbarimore, me synim përmirësimin e bashkëpunimit dhe efikasitetit ndërmjet dy institucioneve.

Nga Oda e Përmbaruesve Privat morën pjesë Kryetari Z. Mehdi Reshani, Anëtari i Bordit Ekzekutiv Z. Kushtrim Metaj, dhe Udhëheqësi i Shërbimit Profesional Z. Mervan Zejnullahu. Agjencia Kosovare e Privatizimit u përfaqësua nga Z. Ardian Berisha, U.D. Drejtor i Departamentit për Koordinim Rajonal dhe Operativë, së bashku me një përfaqësues nga autoriteti i likuidimit.

Diskutimet kryesore përfshinë përmbarimin e faturave të AKP-së, ku u theksua nevoja për përgatitjen e saktë të dokumentacionit nga AKP për të shmangur vonesat. U dakordua të punohet në harmonizimin e propozimeve për përmbarim dhe u adresuan çështje praktike për të përmirësuar komunikimin dhe transparencën.

Palët shprehën gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit, duke propozuar krijimin e një linje të drejtpërdrejtë komunikimi për të siguruar një partneritet më të afërt. Takimi u mbyll me mirëkuptim të ndërsjellë dhe një angazhim për forcimin e raporteve ndërmjet OPPK-së dhe AKP-së.