
Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës (OPPK) ka reaguar ashpër ndaj një aktvendimi të Gjykatës Komerciale, duke e cilësuar atë jo si një gabim të thjeshtë gjyqësor, por si një anomali alarmante që kërcënon drejtpërdrejt themelet e sigurisë juridike në vend. Reagimi vjen pas publikimit të Aktvendimit KPPP.nr.500/2025 të datës 13 qershor 2025.
Rasti konkret lidhet me zbatimin e një vendimi të formës së prerë të Arbitrazhit Ndërkombëtar të Odës Ekonomike Ndërkombëtare (ICC) në Londër, i cili më parë ishte njohur dhe shpallur i ekzekutueshëm nga vetë Gjykata Komerciale. Debitori në këtë rast, Telekomi i Kosovës Sh.A., kishte shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike deri në Gjykatën Supreme, por urdhri për lejimin e përmbarimit ishte lënë në fuqi në të gjitha instancat.
Megjithatë, aktvendimi i ri i gjyqtarit Arben Toska e detyron përmbaruesin privat Flamur Bogaj të kthejë shumën prej 4,483,945.30 euro. Oda thekson se ky vendim është në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi përmbaruesi privat është organ përmbarues, njëjtë si Gjykata kur vepron si organ përmbarues për çështjet e kthimit të punëtorëve në punë apo për çështjet familjare, siç përcaktohet në Ligjin e Procedurës përmbarimore, e jo palë në procedurë. Mjetet e arkëtuara nga debitori i janë transferuar kreditorit në përputhje me ligjin, dhe përmbaruesi nuk mund të urdhërohet t’i kthejë ato.
Sipas OPPK-së, ky vendim krijon një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm duke e trajtuar përmbaruesin si palë dhe duke i ngarkuar një detyrim në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, Oda pretendon se ky aktvendim i jep legjitimitet një narrative publike të rreme që i portretizon përmbaruesit si “plaçkitës”, e nxitur nga akterë të ndryshëm politikë dhe mediatikë.
Në fund, Bordi Ekzekutiv i Odës i bën thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale që të ndërhyjnë për të korrigjuar këtë “vendim skandaloz”.
Më poshtë gjeni reagimin e Bordit Ekzekutiv të Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës: